Skip to content

Sinjali ‘bombe’ nga SHBA – Zyrtari i lartë amerikan refuzon takimin me Ramen e Berishen, takim special vetem në SPAK

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mark Fleming, zhvilloi dje një sërë takimesh me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues politikë, por nuk pranoi të takohej me kryeministrin Edi Rama apo me kryetarin e opozitës, ish-kryeministrin Sali Berisha.

Burime diplomatike bëjnë me dije se vizita e Fleming kishte karakter të qartë institucional dhe lidhej me mbështetjen e reformës në drejtësi dhe rakordimin e bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Në qendër të agjendës së tij ishte një takim special me kreun e SPAK, Altin Dumani, si dhe me prokurorin e posaçëm Klodian Braho. Gjatë qëndrimit në Tiranë, zyrtari amerikan u takua gjithashtu me ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në vijim të agjendës, Fleming zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të opozitës, ku morën pjesë Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku, për të dëgjuar qëndrimet e tyre mbi procesin e integrimit europian dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Vizita e tij zhvillohet në një moment kritik për politikën shqiptare, teksa SPAK po heton figura të nivelit të lartë të pushtetit, përfshirë ministra, ish-ministra dhe drejtues të rëndësishëm publikë.

Mungesa e takimeve me liderët politikë Rama dhe Berisha interpretohet si një mesazh i qartë i Washingtonit se mbështetja amerikane për Shqipërinë kalon përmes institucioneve të drejtësisë dhe jo përmes individëve të komprometuar politikisht.

Kujtojmë se ardhja e Donald Trump në pushtet ka sjellë një ndryshim drastik në qëndrimin e ambasadës së SHBA në raport me qeverinë shqiptare. Asnjë urim për zgjedhje.

Asnjë urim për qeverinë e re. Sinjale të fuqishme të injorimit të kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Një situatë e jashtëzakonshme midis dy shteteve që fillon me nivelin e ulët të përfaqësimit deri te kërcënimet për psikopatët e Sorosit dhe kartelet e drogës nga Donald Trump.

Takimi fundit i Ambasadës Amerikane në Tiranë ka qenë më 1 tetor, kur Nancy VanHorn, u takua me Presidentin Bajram Begaj në Presidencë. Takimi u zhvillua, sipas burimeve diplomatike, në prani të shefit të stacionit të CIA për Tiranën ditën që kreu i shtetit do të firmoste dekretin për zgjedhjet e reja në Tiranë, duke njohur de facto shkarkimin e Veliajt në kundërshtim me kushtetutën.

Futja në lojë e një funksionari të shërbimeve sekrete amerikane në takimin e presidencës është një rast i rrallë që tregon se marrëdhëniet me qeverisjen shqiptare janë futur në ngërç. Mesazhi që është përcjellë ka të bëjë me situatën e ngarkuar kriminale me uzurpimin e shtetit nga bandat e drogës dhe korrupsioni, i evidentuar qartazi në raportin e DASH.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *