Skip to content

Vrasja ne Rinas, zyrtari ne varesi te saj nxjerr bllof ministren e brendshme ne publik, faktet tronditese

Me një avion në Rinas zbriti sot edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Muçi Shaljani. Ai kishte qenë së bashku me Gilmando Danin në Spanjë. Kur ishte nisur, kishte parkuar makinën, një Mercedes Benz të bardhë në një nga parkingjet e aeroportit për ta rimarrë sërish bashkë me Gilmando Danin.

Muçi Shaljani nuk ishte në Spanjë për ndonjë detyrë të ngarkuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, por si shoqërues i Gilmando Danit. Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) është një institucion që heton abuzimet e policëve, ndërkohë që agjenti i saj ishte në shërbim të një prej emrave më të njohur të krimit në vendin tonë.

“Shqipëria është një vend i sigurtë, priti 12 milionë turistë këtë vit” e nisi fjalimin e saj Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në komisionin parlamentar të çështjeve të brendshme. Deklarata si kjo, të ngjashme me thagmat koreano-veriore që lartësojnë punën e liderëve politikë, tregojnë se Ministrja e Brendshme në detyrë nuk ka shumë lidhje me realitetin në terren. Nëse do t’i shkonte në mendje për një moment se krimi i organizuar po ia shfrytëzon si shoferë agjentët e policisë, atëherë do të ishte pak më e kursyer në recitime. Por ajo vazhdoi më tej.

Në versionin e Shqipërisë që përshkroi ministrja Albana Koçiu, vendi ynë “tashmë ka dalë nga listat e zeza” të vendeve të pasigurta dhe ku “biznese të huaja hapen çdo ditë”. “Edhe në faqet e medieve më të njohura ndërkombëtare, në portalet e ambasadave të huaja, në çdo raport dhe përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, “Shqipëria është një vend i sigurt” tha ministrja.

Vetëm se disa kilometra më tej jashtë Tiranës, teksa sapo Gilmando Dani po dilte nga Rinasi bashkë me Muçi Shaljanin, banditët ia dhanë kallashnikovit me breshëri.

Xhamat e Mercedesit të bardhë mbushën asfaltin, njerëz të tmerruar ia futën vrapit, ndërsa për t’u siguruar se kishte kryer punë, një nga vrasësit doli nga makina, u afrua pranë Mercedesit të bardhe dhe qëlloi disa herë me pistoletë në drejtim të Gilmando Danit.

Brenda në makinë, Dani humbi jetën në vend, ndërsa punonjësi i AMP-së Muçi Shaljani ende po lufton me vdekjen në spitalin e traumës, pasi ka një plumb në kokë.

Atentatorët ishin kujdesur që ta qëllonin mjetin nga dy anë. Në këtë mënyrë do të amortizonin një kundërpërgjigje me armë nga brenda makinës. Pasi kryen vrasjen u larguan me shpejtësi.

Në komisionin e çështjeve të brendshme vazhdonte e njëjta muzikë. Pohimet e Albana Koçiut ishin të tipit “Lajm i mirë është ulja numrit të krimeve të rënda, përfshi dhe numrin e vrasjeve me dashje”, “luftë frontale dhe pa kompromis kundër krimit të organizuar” apo “95% e zbulueshmërisë sa i përket veprave penale”.

Për recitimin që ka bërë sot në komision, Albana Koçiu as nuk do skuqet, as nuk do zverdhet dhe as do japë dorëheqjen. Ato pak turistë që zbritën në Rinas këtë të martë nëntori janë shumë pak në krahasim me 12 milion që mbërrijnë gjithë vitin. Gjasat janë që askush të mos mbajë përgjegjësi për faktin e rëndë se një nga emrat më të njohur të krimit shoqërohej nga një agjent i Aagjencisë së Mbikqyrjes Policore, as se autorët e krimit “u larguan pa lënë gjurmë”.

Në fund të fundit, një “ministre që dorëhiqet” është koncept i një Shqipërie tjetër.

Shqipëria e Albana Koçiut ngjan më shumë me shkrimet e gazetarëve të “Lonely Planet”, atje ku flitet për bukuritë e natyrës tonë të mrekullueshme, për miliona të huaj që ngrohen indiferentë nën rrezet e diellit dhe për ata që shijojnë të kënaqur kulinarinë shqiptare. Në këtë Shqipëri, vrasjet mafioze janë thjesht lajme sporadike që ulin mesataren e statistikave, ndërsa plumbat që marrin jetë njerëzish nuk e prishin dot imazhin e bukur ekzotik të Lonely Planet. Ose ndryshe, siç u shpreh Albana Koçiu në Komisionin e Çështjeve të Brendshme “Mjafton t’i referohemi fakteve dhe shifrave, që janë më shumë kokëforta se çdo lloj perceptimi apo aludimi”.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *