Takimi i parashikuar prej Ballukut kishte të bënte me masat e reja të sigurisë në gjykata, pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky ishte një prej angazhimeve më të rëndësishme të saj në rolin e zv.kryeministres, për të garantuar rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë. Por me vendimin e djeshëm të GJKKO-së, ku ndaj saj u caktuan masat e pezullimit nga detyra dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit, Balluku nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion zyrtar.
Në këtë mënyrë, takimi është anuluar dhe nuk pritet të rikthehet në agjendë deri në një njoftim të dytë, ndërsa Kryeministria nuk ka dhënë asnjë sqarim për mbledhjen e kabinetit të parashikuar për ditën e premte.
Takimi 7-orësh në Kryeministri: çfarë po përgatitet?
Ndërkohë, ende nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për takimin maratonë prej 7 orësh që zhvilluan një ditë më parë Edi Rama dhe Belinda Balluku në Kryeministri, një takim i cili më pas u bashkua edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Burimet qeveritare kanë heshtur plotësisht, ndërsa spekulimet rriten orë pas ore.
Qëndrimi i Ramës mbetet i paqartë:
A do të vazhdojë ai ta mbrojë numrin dy të qeverisë, duke sfiduar de facto drejtësinë e re që ai vetë e ka prezantuar si sukses historik?
Apo ky takim 7-orësh ishte preludi i distancimit të tij nga Balluku?
Dhjetëra vendime politike, institucionale dhe organizative që varen nga posti i zv.kryeministres janë aktualisht pezull. E ardhmja e Ballukut në qeveri – dhe qëndrimi i Ramës përballë SPAK-ut – mbeten ende në pikëpyetje të mëdha.

Be First to Comment