Skip to content

“Rama ka të drejtë….”, avokati shpjegon paqartësitë ligjore në rastin Balluku

“Kudo ku është kërkuar interpretim i zgjeruar, është bërë duke iu referuar nenit 103 të Kushtetutës, që thotë se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit. Në paragrafin e dytë thuhet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Kjo shpjegon edhe paqartësinë që krijon terminologjia e ligjit. Është një term jo i qartë dhe krijon pasiguri për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me persona të zgjedhur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga populli”, u shpreh avokati, duke shtuar më tej se kuadri ligjor mbi imunitetin dhe statusin e anëtarëve të qeverisë lë hapësira interpretimi, sidomos për figurat e larta politike që nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga populli.

Ai theksoi se përveç kryetarëve të Bashkive, pozicionet e tjera politike burojnë nga partitë, duke e bërë edhe më të paqartë nëse masa e pezullimit mund të aplikohet për ministrat.

Sipas avokatit, çështja prek drejtpërdrejt kompetencat e kryeministrit, i cili përcakton përbërjen e kabinetit. Në këtë kontekst, pezullimi i një anëtari të qeverisë mund të konsiderohet ndërhyrje në këtë kompetencë, ndaj vetëm Gjykata Kushtetuese mund të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një konflikt real mes pushteteve.

“Ajo që shtrohet sot është: a mund të aplikohet kjo masë ndaj drejtuesve të lartë, siç është një anëtar i kabinetit? Nga njëra anë, kryeministri përcakton përbërjen e ekzekutivit; nga ana tjetër, gjykata thotë se po zbaton një masë sigurimi. Interesi i kryeministrit përfundon vetëm nëse konstatohet konflikt kompetencash. Nëse konflikti është vetëm hipotetik, atëherë interesi nuk qëndron. Për mendimin tim, kërkesa nuk është e legjitimuar, ajo legjitimohet vetëm nëse ekziston realisht një konflikt kompetencash”, tha ai, duke ngritur një hipotezë legjitime, por që duhet vlerësuar vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

“Zoti Rama ka të drejtë në hipotezën që ngre, por që të qëndrojë, duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Daci.

Avokati shtoi se nga pikëpamja e qeverisë, vendimi i gjykatës prek drejtpërdrejt ekzekutivin duke ndikuar në përbërjen e kabinetit, ndërsa gjykata e konsideron pezullimin thjesht si masë sigurie dhe jo zëvendësim të një anëtari të qeverisë.

“Ideja e tij është se aktet e gjyqësorit po ndryshojnë kabinetin qeveritar, ndërkohë që ndryshimi i kabinetit është akt politik i kryeministrit, bashkë me presidentin dhe parlamentin,” shtoi ai më tej.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *