Nëntori është në ditët e fundit të tij dhe prej muajit gusht kur u njoftuan shtatë kandidatët e mbetur në garë, nuk ka më asnjë zhvillim tjetër.
Gledis Nano, Gentian Shehaj, Joni Keta, Elton Kërluku, Andi Pogaçe, Artur Beu dhe Gentian Ndoi janë shtatë kandidatët që mbetën në garë për postin e kreut të BKH-së, nga trembëdhjetë që shprehën interes dhe gjashtë prej tyre u skualifikuan.
Ky institucion konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Vendimin për drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit do ta marrë treshja e prokurorëve e përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, por tashmë që çdo afat është tejkaluar dhe SPAK është vetë në procesin e zgjedhjes së pasuesit të Altin Dumanit, procesi është jashtë çdo parashikimi.
Siç është raportuar nga burime jozyrtare pranë institucionit, tre janë kandidatët më të lakuar për të marrë drejtimin e BKH-së; Joni Keta, Elton Kërluku dhe Gledis Nano. Por, në këtë proces nuk përjashtohen dhe katër të tjerët, të cilët janë gjithashtu profesionistë të zbatimit të ligjit.

Be First to Comment