Trupi i artistit mbërrin në Tetovë
Sipas njoftimit të familjarëve, trupi i Shpat Kasapit është nisur sot nga Italia drejt Tetovës, qyteti i tij i lindjes, ku do të zhvillohen homazhet dhe ceremonia mortore. Transportimi është kryer pasi familja përmbushi të gjitha procedurat mjeko-ligjore dhe institucionale në shtetin italian.
Komemoracioni në Pallatin e Kulturës – ora 12:00
Nesër, në orën 12:00, në sallën e Pallatit të Kulturës në Tetovë, do të mbahet një mbledhje komemorative në nder të jetës dhe veprës së këngëtarit.
Pritet që të marrin pjesë familjarë, miq të ngushtë, kolegë të shumtë nga bota e artit, si dhe qindra qytetarë që dëshirojnë t’i bëjnë nderimet e fundit.
Mbledhja komemorative do të shoqërohet me materiale muzikore dhe kujtime nga karriera e gjatë e artistit, duke risjellë momentet që e bënë atë një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare.
Varrimi – përcjellja në banesën e fundit
Pas përfundimit të homazheve, Shpat Kasapi do të përcillet për në banesën e tij të fundit në varrezat e Tetovës. Ceremonia e varrimit pritet të zhvillohet me pjesëmarrje të gjerë dhe me nderime të posaçme nga komuniteti artistik dhe vendor.
Një humbje e madhe për muzikën shqiptare
Ndarja nga jeta e Shpat Kasapit në moshë të re ka lënë pas një boshllëk të madh në muzikën moderne shqiptare. Këngët e tij, të cilat kanë shënjuar breza të tërë, mbeten trashëgimia e tij artistike dhe kujtimi i tij do të ruhet me shumë respekt.

Be First to Comment