Fatos Nano ka mbyllur sytë përgjithmonë këtë të premte, në moshën 73 vjeçare, duke shënuar fundin e kapitullit të jetës së tij dhe një nga më të rëndësishmit e Shqipërisë pluraliste, si “arkitekt” i Partisë Socialiste.
Lideri historik i së majtës shqiptare, me ikjen e tij ka lënë në trishtim familjen e parë dhe atë politike, bashkëpunëtorët e shumtë dhe miqtë e pafundëm.
Rexhina Nano, bashkëshortja e tij e parë, raportohet se i ka qëndruar pranë deri në ditët e fundit të jetës. Ajo ishte vajza që i vodhi zemrën në rininë e tij të hershme kur ishin gjimnazistë të “Sami Frashërit” dhe e ndoqi në rrugën e tij për gati tre dekada.
Ata qëndruan të martuar për 27 vjet, deri në vitin 2001, kur lideri historik i Partisë Socialiste njoftoi se për shkak të shumë zhvillimeve, kryesisht të këqija, martesa e kishte humbur qëllimin e saj.
Rexhina Nano ishte mjaft elegante, e bukur dhe fisnike. Të tillë mund ta përshkruash edhe sot, pasi divorci nuk mundi ta ndante dot nga shoku i saj i gjimnazit, me të cilin lidhën kurorë dhe sollën në jetë dy fëmijë që i kanë bërë gjyshër, Edën dhe Sokolin.
Fati e deshi që ata të mos ishin më bashkë, pas vitit 2001 kur dhe u ndanë ligjërisht, ndërsa ndoqën secili rrugën e tij. Rexhina u largua drejt Francës, ku dhe jeton, ndërsa Fatosi u rimartua një vit pas me Xhoanën dhe u larguan drejt Vjenës.


Be First to Comment