Skip to content

Shqiptari hero hidhet në lumë dhe shpëton biznesmenin italian që po mbytej/ VIDEO

Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur padovan dhe themelues i një kompanie të specializuar në restaurime arkitektonike, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta. Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku.

Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë. Ata tentuan fillimisht të thyenin xhamat e makinës, por pa sukses.

Zefi tregoi më pas se kishte arritur të dallonte dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami kishte mbetur i hapur. Aty ai kuptoi se kishte shpresë. Pas disa përpjekjesh, i lodhur, me këmbët e mpira nga të ftohtit dhe duke rrezikuar të mbytej edhe vetë, ai vendosi të bëjë dhe një përpjekje të fundit.

Dhe ajo përpjekje u shpërblye. 85-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të nxirrej në breg. Pak çaste më vonë mbërritën edhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa gjithë momenti u regjistrua në një video që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale.

Burri i moshuar u transportua në spital, ku mori kujdes mjekësor dhe është tashmë jashtë rrezikut për jetën. Mjeti u nxor nga kanali nga zjarrfikësit.

Ndërkohë, Eltoni është përshëndetur në Veneto si një hero i vërtetë. Ai, megjithatë, e mori gjithë vëmendjen me modesti. “Jam i lumtur që mbaruam me sukses. Gëzimi që ndjeva kur e nxorëm atë burrë nga makina ishte i paçmueshëm”, u shpreh ai. Zefi shtoi se në ato momente nuk pati frikë. “Kur sheh një njeri duke vdekur, ndoshta është Zoti që të jep forcën”.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *