Në një rrëfim pa doreza për ndjekësit e saj, Flavia ka zbuluar se rrugëtimi i saj nuk ka qenë aspak “fushë me lule”, por një sfidë e mbushur me vetmi profesionale.
Ajo ka ngritur një shqetësim serioz që shpeshherë mbetet i pathënë: mungesën totale të stafit dhe mbështetjes logjistike për vajzat shqiptare në kompeticione të tilla botërore.
“Dua të theksoj diçka që shpesh harrohet: në situata të tilla duhet të ketë një ekip profesional, një staf të strukturuar dhe njerëz që e dinë këtë botë dhe dinë si të të udhëheqin,” – shprehet Flavia, duke bërë një krahasim të dhimbshëm me konkurrentet e tjera.
Ajo vë në dukje se ndërsa vajzat e tjera kishin pas vetes një sistem të tërë që funksiononte për to, asaj i është dashur të përballet me çdo detaj, çdo përgatitje dhe çdo stres plotësisht e vetme.
“Shumë gjëra që duhen bërë nga një skuadër e tërë, u detyrova t’i përballoja e vetme. Ky realitet krijon presion, lodhje dhe keqkuptime,” – shton ajo, duke lënë të kuptohet se kjo barrë e ka rënduar psikologjikisht gjatë garës.
Përtej akuzave për mungesë organizimi nga instancat përkatëse në Shqipëri, Flavia ka bërë edhe një reflektim personal. Ajo sqaron se kjo eksperiencë i shërbeu për të njohur limitet e saj dhe për të kuptuar se kjo rrugë, në këtë formë kaq kaotike dhe të pambështetur, nuk ishte ajo që dëshironte për veten.
Në fund, mesazhi i saj kthehet te vlerat e vërteta. Larg shkëlqimit të rremë dhe titujve që vijnë e shkojnë, Flavia shprehet se “fitorja e saj e madhe” është jeta që ka ndërtuar jashtë vëmendjes mediatike.
Ajo e mbyll me një notë paqeje, duke thënë se realiteti i saj me njerëz që e duan sinqerisht është shumë më i çmuar se çdo kurorë apo skenë që bota mund të ofrojë.

Be First to Comment