Ai dha dorëheqjen disa kohë më parë për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Tiranës, të cilat me vendim të Gjykatës Kushtetuese u anuluan dhe në detyrë mbetet Erion Veliaj nga qelia.
Binaj zgjodhi të kandidonte si pavarur, por me vete mori gjithë mbështetjen e opozitës. Përballë tij në zgjedhje do të ishte Ogerta Manastirliu, për të cilën Partia Socialiste kishte të garantuar fitoren.
Në hapje të programit, Binaj thotë se nuk e ka luksin të qëndrojë pa punë, ndërsa se kur do të ketë zgjedhje në Tiranë, kjo nuk dihet, por pavarësisht asnjë prej kandidatëve nuk ka hequr dorë.
“Gara për Tiranën u ndal, dy ditë më pas u ktheva në punë. Nuk e kam luksin të bëj pushime reflektuese. Unë kam luksin vetëm të punoj, dhe të mos dorëzohem.
U ktheva tek Piranajt, tek kolegët e mi, të ngre zërin, të denoncoj të keqen, dhe të mbroj njerëzit nga keqqeverisja. Kandidimi im kishte një qëllim, të çrrënjoste korrupsionin nga Bashkia e Tiranës dhe ta kthente bashkinë në shërbim të njerëzve.
Ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë në mënyrë dramatike se e keqja dhe korrupsioni kanë kapur palcën e pushtetit dhe që andej çdo qelizë të tij.
Është e njëjta frymë, i njëjti stil si me 5D e Tiranës. Është dëshmia ë me qartë se në këtë vend, nuk ka vetëm politikanë të korruptuar, por dhe një administratë e tërë në shërbim të tyre.
Kjo qeverisje, kjo administratë, ky sistem nuk do të zgjedhë asnjëherë asgjë sepse nuk është ndërtuar për të zgjidhur, është ndërtuar vetëm për të vjedhur”, tha Flor Binaj.

Be First to Comment